Kompania shtetërore suedeze e minierave LKAB njoftoi të enjten e javës së kaluar se ka gjetur më shumë se një milion ton okside të rralla të tokës në Kiruna, në veri të Suedisë.
Elementet e rralla të tokës, që ndryshe njihen edhe si metale të rralla apo okside të rralla, janë një grup prej 17 metalesh të rënda që kanë një gamë të gjerë përdorimesh komerciale dhe industriale. Ato kanë një rëndësi të veçantë për tranzicionin e gjelbër, pasi nevojiten për prodhimin e turbinave me erë dhe automjeteve elektrike.
Megjithatë, Bashkimi Evropian është shumë i varur nga importimi i tyre ose komponimeve për të cilat nevojiten.
Jan Moström, CEO i LKAB, njoftoi përmes një deklarate se zbulimi është një lajm i mirë për “Evropën dhe klimën”, duke shtuar se “Evropa mund të bëhet një bllok i rëndësishëm ndërtimi për prodhimin e lëndëve të para kritike që janë absolutisht thelbësore për të mundësuar tranzicionin e gjelbër”.
Ekspertët thonë se madhësia e zbulimit duhet ende të verifikohet, por vlerësimi i kompanisë prej 1 milion tonësh do ta bënte atë më të madhin e këtij lloji në Evropë.
A është kjo një befasi e madhe?
Jo ne te vertete. Depozita, e quajtur Per Geijer, ndodhet në pjesën suedeze të Rrethit Arktik, i cili njihet si i pasur me minerale të rralla të tokës për disa dekada. LKAB tashmë drejton minierën më të madhe të mineralit të hekurit në Evropë dhe eksplorimi për minerale të rralla në Kiruna është zgjeruar gjerësisht.
Sa të rralla janë mineralet e tilla dhe kush i posedon?
Pavarësisht emrit, ato janë të shumta në shumë pjesë të botës, por nxjerrja e tyre është jashtëzakonisht komplekse dhe e kushtueshme. Mund të jetë gjithashtu shumë e dëmshme për mjedisin.
Kina ka sasinë më të madhe të rezervave të oksideve të rralla të tokës nga çdo vend në botë. Pasohet nga Vietnami, Brazili dhe Rusia. Megjithatë, për sa i përket rafinimit dhe përpunimit të tyre, Kina është më përpara: sipas të dhënave nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së, ajo përbën më shumë se 60% të të gjithë prodhimit të oksideve që nga janari i vitit 2022, dhe ndiqet nga SHBA (16%), Myanmari (9%) dhe Australia (8%)./UBTNews/