Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka mbështetur kancelarin Olaf Scholz, i cili refuzoi dërgimin e ushtarëve gjermanë si pjesë e një force paqeruajtëse në Ukrainë.
“Ushtarët nuk do të dërgohen në këtë fazë të nxehtë të luftës,” tha Annalena Baerbock në një intervistë për ZDF.
Ajo ngjashëm me kancelarin Scholz pak ditë më parë, e karakterizoi diskutimin për dërgimin e ushtarëve si pjesë e një force paqeruajtëse në Ukrainë si “shumë të parakohshme”.
“Është një diskutim tipik gjerman, duke folur për hapin e 48-të përpara se të hidhet i pari,” tha Baerbock.
Por në të njëjtën kohë, ajo theksoi se sigurimi i një armëpushimi në Ukrainë është kryesisht detyrë e evropianëve.
“Sigurimi i paqes është një detyrë evropiane. Vendimet nuk mund të merren pas shpinës së evropianëve,” tha Baerbock, duke aluduar në bisedimet e vazhdueshme midis Rusisë dhe SHBA-së për të ardhmen e Ukrainës.
Ministrja e Jashtme gjerman reagoi për fillimin e negociatave në Arabinë Saudite pa përfaqësues nga Ukraina dhe vendet evropiane dhe tha se Gjermania nuk e pranon këtë qasje.
“Evropa duhet të mbrojë me vetëdije dhe qartë interesat e saj. Ne nuk duhet të bëjmë një gabim të madh tani dhe t’i bëjmë një nder presidentit rus Putin duke u dhënë këtyre bisedimeve më shumë rëndësi se sa kanë,” përfundoi Baerbock.