Gjermania ka shtuar sigurinë në kufirin me Poloninë në përpjekje për të trajtuar një fluks të migrantëve nga Bjellorusia.
Autoritetet njoftuan për vendosjen e qindra policëve shtesë në kufi, derisa një zyrtar qeveritar tha se Berlini është i gatshëm të rrisë edhe më shumë kontrollet kufitare.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer i tha gazetës Bild am Sonntag se 800 policë janë dërguar në kufi.
“Nëse është e nevojshme, unë jam gati ta urdhëroj përforcime tjera”, tha ai.
Policia gjermane dhe sa ka ndaluar një grup të armatosur prej rreth 50 aktivistëve të ekstremit të djathtë të cilët kishin shkuar në kufi për të penguar migrantët që të hynin në Gjermani.
Grupi radikal i ekstremit të djathtë Rruga e Tretë (Der III. Weg) kishte bërë thirrje që anëtarët të mblidheshin për të ndërmarrë veprime kundër migrantëve që provonin të kalonin kufirin nga Polonia.
Krizën me migrantë është duke e provokuar udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve anëtare e kanë akuzuar atë se ka orkestruar krizën me migrant për t’ju hakmarrë Brukselit për shkak të sanksioneve të vendosura.
Sanksionet kanë pasuar goditjen e dhunshme të protestuesve në Bjellorusi të cilët kundërshtojnë zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat Lukashenka thotë se i ka fituar, mirëpo opozita në këtë vend, si dhe vendet perëndimore nuk e njohin rezultatin.
Michael Kretschmer, kreu i shtetit kufitar të Saksonisë në Gjermani, fajësoi Lukashenkën si nxitësin e krizës kufitare.
“Nëse lejojmë që të shantazhohemi nga një person i tillë, atëherë ne si Bashkim Evropian nuk ia vlejmë”, tha ai.
Autoritetet gjermane vlerësojnë se përmes Polonisë dhe Bjellorusisë kanë hyrë rreth 5.000 migrantë të paligjshëm në tre muajt e fundit.
Ata thanë se shumica e migrantëve pa dokumente janë nga Iraku, Siria, Jemeni dhe Irani.
Polonia ka propozuar ndërtimin e një muri prej 410 milionë dollarësh në kufirin e saj me Bjellorusinë për të ndalur hyrjen e migrantëve.
I pyetur për një strukturë të tillë kufitare, Seehofer i tha gazetës se: “Është legjitime për ne që të mbrojmë kufirin e jashtëm në atë mënyrë që të parandalohen kalimet e paligjshme kufitare”.
Seehofer i ka propozuar homologut të tij polak, Mariusz Kaminski, që të dyja vendet të rrisin patrullimet e përbashkëta përgjatë kufirit.
Në anën tjetër Kaminski ofroi “mbështetjen e plotë” të Polonisë.
Gjermania tash për tash nuk ka plane për mbylljen e kufirit me Poloninë./REL