Numri i rasteve të dhunës në mes partnerëve ka rënë pak në Gjermani në vitin 2021. Kjo krahasohet me vitin 2020, kur u shfaq pandemia e COVID-19. Shifrat tregojnë se gratë kanë më tepër gjasa të jenë viktima të dhunës.
Policia Federale gjermane (BKA) të enjten raportoi një rënie prej 3% të rasteve të dhunës mes partnerëve në vitin 2021 krahasuar me vitin paraprak. Rënia erdhi në krahasim me vitin 2020, viti i parë i pandemisë së COVID-19 kur rastet arritën nivelin më të lartë deri më sot.
Çfarë tregojnë të dhënat?
Sipas raportit të BKA-së, në vitin 2021 u regjistruan 143 mijë e 604 viktima të dhunës krahasuar me 148 mijë e 31 në vitin 2020. Në raport thuhet se gratë kanë më shumë gjasa të jenë viktima, që përbëjnë 80.3% të totalit.
Raporti i BKA thekson se 60% e rasteve raportuan lëndime të lehta, ndërsa 12% lëndime më serioze. Rreth një e katërta e rasteve u raportuan si kërcënime, përndjekje dhe detyrime, ndërsa rreth 2.5% u raportuan si raste përdhunimi dhe sulmi seksual.
0.1% të rasteve të dhunës përfunduan me fatalitet, e 0.3% e rasteve cilësoheshin si vrasje me paramendim. Në mesin e viktimave, 109 ishin femra dhe 12 meshkuj.
Statistikat tregojnë se 1.3% e rasteve cilësohen si detyrim në prostitucion.
Çfarë nënkuptojnë shifrat?
Presidenti i BKA, Holger Münch prezantoi raportin së bashku me Ministren e Brendshme Nancy Faeser dhe Ministren e Familjes, Lisa Paus.
Sipas tij, trendi ka qenë “vazhdimisht në rritje” në vitet e mëparshme deri në vitin 2020 dhe u zotua se do të përpiqet të vë në pah faktorët që i kontribuan rritjes së dhunës, sikurse mosraportimi i dhunës.
Raporti sugjeron se pandemia COVID-19 mund të ketë çuar në rritje të rasteve të dhunës në vitin 2020.
Një linjë telefonike gjermane për gratë që përballen me dhunë raportoi një rritje prej 5% të thirrjeve gjatë pandemisë.
Paus tha se duhet t’u ofrohet mbështetje viktimave të dhunës./UBTNews/