Autoritetet gjermane kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të vendosur tarifa prej 25% për veturat dhe pjesët e tyre të importuara, duke theksuar se “nuk do të dorëzohen”. Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të “përgjigjet me vendosmëri” ndaj këtij vendimi, duke shtuar se Evropa duhet të tregojë forcë dhe vetëbesim për të mbrojtur interesat e saj.
Përballë kërcënimeve të Trumpit për tarifa më të mëdha, ekonomitë e tjera të mëdha, si Franca, Kanadaja dhe Kina, kanë shprehur shqetësimin dhe kanë kërcënuar me masa hakmarrëse. Ministri i Financave i Francës, Eric Lombard, ka theksuar se Evropa nuk mund ta pranojë këtë situatë, pasi mund të çojë në një spirale të pandalshme tarifash.
Në këtë kontekst, aksionet e kompanive të mëdha si Porsche, Mercedes, BMW dhe Stellantis kanë rënë ndjeshëm, duke reflektuar pasigurinë e krijuar nga këto tarifa. Masat do të hyjnë në fuqi më 2 prill për veturat dhe më vonë për pjesët e tyre, duke rritur shqetësimet për ndikimin ekonomik.
Trump ka mbrojtur këtë masë si një përpjekje për të mbështetur prodhimin amerikan, megjithatë ka pasiguri se si do të ndikojnë kostot për bizneset që varen nga importet e pjesëve të huaja. Shtetet e tjera furnizuese, si Meksika dhe Koreja e Jugut, gjithashtu do të preken nga këto tarifa./UBTNews/