Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck tha të mërkurën se ekonomia e Gjermanisë do të përballet me recesion në vitin 2023 si rezultat i luftës ekonomike të presidentit rus, Vladimir Putin kundër Perëndimit.
Habeck u tha gazetarëve në Berlin se ekonomia më e madhe e Evropës do të tkurret 0.4% vitin e ardhshëm në vend që të rritet me 2.5% siç ishte parashikuar këtë pranverë.
“Shifrat janë të këqija”, tha Habeck, megjithëse ai tha se shifrat do të mund të kishin qenë shumë më keq nëse qeveria do të kishte zgjedhur të mos vepronte. Ai pretendoi se shifrat janë dëshmi se hapat që ka ndërmarrë qeveria gjermane për të mbrojtur ekonominë janë duke funksionuar.
Politikani i Partisë së Gjelbër tha se modelet e kësaj pranvere parashikuan një rënie ekonomike prej 3-9% në rast se Rusia do të ndalonte dërgesat e gazit.
“Jam absolutisht i bindur se Putini do të dështojë në këtë përpjekje [për destabilizimin ekonomik], ashtu siç po dështon në fushëbetejë në Ukrainë”, tha Habeck.
Megjithatë, Habeck pranoi se situata është serioze: “Ne po kalojmë një krizë serioze energjetike, një krizë që ngadalë po kthehet në një krizë ekonomike dhe sociale”./UBTNews/