UBT News

Gjermania po përballet me një “pandemi masive” të të pavaksinuarve

Ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, tha se vendi i tij po përballet me një “pandemi masive” të të pavaksinuarve. Ai bëri thirrje për masa më të ashpra për të ndalur hovin e rritjes së rasteve të reja me COVID-19.

“Në disa rajone të Gjermanisë kujdesi intenziv shëndetësor sërish është nën presion”, tha ai.

Gjermania është vendi më i populluar i Evropës me rreth 83 milionë banorë. Javët e fundit ky vend po përballet me një valë të katërt të rasteve me COVID-19. Autoritetet thonë se shifrat janë të ngjashme me ato të muajit maj.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 20 mijë e 398 raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, njoftoi instituti shëndetësor Robert Koch. Nga sëmundja kanë vdekur edhe 194 njerëz.

Më shumë se 66 për qind e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, por ministri Spahn shprehu zhgënjimin që procesi i vaksinimit është ngadalësuar dhe se një numër i njerzve në grupmoshën 18 deri në 59 vjeç mbeten të pavaksinuar.

Ai gjithashtu bëri thirrje për kontrolle më të ashpra në institucionet ose ngjarjet ku lejohen të hyjnë vetëm ata që janë vaksinuar, të shëruar, ose kanë rezultuar negativë së fundmi./REL

Exit mobile version