Ministri i mbrojtjes i Gjermanisë njoftoi të mërkurën se Berlini do t’i furnizojë Ukrainës sisteme shtesë armësh për të forcuar mbrojtjen ajrore të vendit mes sulmeve në rritje ruse.
Boris Pistorius tha në një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës se aleatët perëndimorë duhet të ruajnë vendosmërinë e tyre dhe të sigurojnë më shumë armë për Ukrainën, pasi zhvillimet e fundit në fushën e betejës tregojnë se Ukraina po mbron me sukses veten.
“Mund të mbështeteni te Gjermania. Ne do të vazhdojmë dhe zgjerojmë mbështetjen tonë për Ukrainën. Me kontrata të reja, Gjermania do të ofrojë mbështetje shtesë në vlerë mbi 2 miliardë euro”, tha Pistorius në takimin në Bruksel, në të cilin morën pjesë edhe sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth dhe ministri i Mbrojtjes i Ukrainës Denys Shmyhal.
“Paketa trajton një numër kërkesash urgjente të Ukrainës. Ajo ofron sisteme mbrojtjeje ajrore, interceptorë Patriot, sisteme radari dhe artileri të drejtuar me precizitet, raketa dhe municione”, tha Pistorius.
Ai shtoi se Gjermania do t’i dorëzojë Ukrainës edhe dy sisteme shtesë mbrojtjeje ajrore IRIS-T, duke përfshirë një numër të madh raketash të drejtuara dhe raketash mbrojtëse ajrore me qitje nga supi.
Pistorius tha gjithashtu se Gjermania po ndërmerr hapa për të zgjeruar bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes gjermane dhe ukrainase dhe po planifikon të nisë një projekt gjithëpërfshirës për të modernizuar sistemet e armëve që tashmë i janë dorëzuar Ukrainës dhe për të zgjatur jetëgjatësinë e tyre të shërbimit, raporton Anadollu./D.B/KP
