Gjermania përkohësisht e ka mbyllur konsullatën e saj në Stamboll të mërkurën, duke përmendur një rrezik të shtuar për sulm në qytetin turk.
Ky vendim i Gjermanisë erdhi pas rritjes së tensioneve pasi aktivistët e krahut të djathtë dhe anti-islamik dogjën ose shkatërruan Kuranin në disa qytete evropiane javët e fundit.
Sipas postimeve që publikuan në rrjetet sociale të konsullatës, zyrtarët gjermanë njoftuan se konsullata do të mbyllet të mërkurën dhe se të gjitha takimet për viza janë anuluar.
“Pas rasteve të fundit në disa kryeqytete evropiane ku Kurani u dogj ose u shkatërrua publikisht, agjencitë e sigurisë besojnë se rreziku i sulmeve terroriste në Stamboll është rritur”, thanë zyrtarët në një deklaratë.
Në këtë deklaratë po ashtu u bëhet thirrje qytetarëve gjermanë që të shmangin lagjen qendrore të Stambollit, Beyoglu dhe sheshin popullor Taksim. Zyrtarët gjermanë këshilluan gjithashtu qytetarët që të shmangin zonat ku ka turma dhe të largohen nga vendet publike./UBTNews/