Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla po qëndron për vizitë zyrtare në Gjermani, ku u takua me ministrin Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.
Haradinaj-Stublla tha se i ka shprehur ministrit Maas mirënjohjen e thellë për ndihmën e Qeverisë gjermane dhënë Kosovës gjatë pandemisë, dhe përkrahjen palëkundur për vendosjen në agjendë të liberalizimit të vizave gjatë Presidencës Gjermane të Këshillit të BE.
“Diskutuam mbi gjendjen e shkëlqyeshme të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe u dakorduam për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët politik e ekonomik, poashtu edhe në përfundimin e njohjes së patent-shoferëve. Ministri Maas shprehu vendosmërinë që roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë – Serbi të vazhdojë të jetë aktiv dhe mbështetës në arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Nënvizova nevojën urgjente të definimit të dialogut në 3 elemente kyçe: kohëzgjatjen, parimet, dhe objektivën finale e cila domosdoshëm duhet të rezultojë me njohje reciproke”, shkroi Haradinaj-Stublla në Facebook./UBTNews