UBT News

Gjermania kërkon që Evropa të përfshihet në bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se Evropa duhet të përfshihet në bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë.

Përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Pistorius tha se presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike dhe ranë dakord të fillojnë negociatat për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.

Nëse Putini është vërtet serioz për të hyrë në këto negociata, që duke u bazuar në përvojën e tre viteve të fundit mund të ketë të paktën disa dyshime për këtë, atëherë ai duhet të marrë masa të menjëhershme në fushën e betejës dhe të ndalojë shkatërrimin e Ukrainës“, tha ministri gjerman.

Pistorius tha se Evropa duhet të jetë pjesë e këtyre negociatave. “Për mua është e qartë se Evropa duhet të përfshihet në negociata dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë çështje“, theksoi ai.

Sipas tij, ende nuk është e qartë se si do të vazhdojnë negociatat e paqes në Ukrainë dhe më e rëndësishmja, cilat do të jenë rezultatet e negociatave. “Gjëja e trishtueshme është se administrata e Trumpit tashmë i ka bërë lëshime të qarta Putinit përpara fillimit të negociatave. Nga këndvështrimi im, do të kishte qenë më mirë anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO ose humbja e mundshme e territorit të vendit të diskutohej vetëm në tryezën e negociatave“, tha Pistorius.

Ai potencoi se është e rëndësishme t’i jepet fund vrasjes së njerëzve mbi bazën e një paqeje të qëndrueshme, të përhershme, të drejtë dhe të barabartë.

Exit mobile version