Ministri gjerman i Ekonomisë thotë se vendi do të kufizojë përdorimin e gazit natyror për prodhimin e energjisë elektrike mes shqetësimeve për mungesat e mundshme të shkaktuara nga një ndërprerje e furnizimeve nga Rusia.
“Për të reduktuar konsumin e gazit, duhet të përdoret më pak gaz për të prodhuar energji elektrike. Termocentralet me qymyr do të duhet të përdoren më shumë në vend të kësaj”, tha Robert Habeck.
Gjigandi shtetëror rus i gazit Gazprom tha se reduktimet e furnizimit nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream janë rezultat i punës së riparimit, por zyrtarët e Bashkimit Evropian besojnë se Moska po ndëshkon aleatët e Ukrainës, ku forcat ruse filluan një pushtim në shkurt.
Kthimi i përkohshëm i Berlinit ndaj qymyrit shënon një kthesë për koalicionin qeverisës të kancelarit Olaf Scholz, i cili është zotuar të pakësojë përdorimin e qymyrit deri në vitin 2030.
Qeveria ka këmbëngulur se gazi rus do të nevojitet për një kohë derisa burimet alternative të energjisë, si gazi natyror i lëngshëm (LNG) i sjellë me anije, të jenë të disponueshme.
Pas shkurtimit të furnizimeve ditore të gazit për Gjermaninë dhe Italinë, shefi i Gazprom, Alexei Miller tha javën e kaluar se Moska do të luajë sipas rregullave të saj.
“Produkti ynë, rregullat tona. Ne nuk luajmë sipas rregullave që nuk kemi krijuar”, tha ai gjatë një paneli diskutimi në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg./UBTNews/