Gjermania dorëzoi sot një donacion të seteve të testimit për COVID-19 për të fuqizuar më tej përgjigjen ndaj pandemisë në Kosovë. Dërgesa e 150 mijë testeve antigjen ka një vlerë mbi 600 mijë euro. Ky donacion do t’i shërbejë sistemit shëndetësor në Kosovë për të luftuar përhapjen e COVID-19.
Me këtë rast, ambasadori gjerman në vendin tonë, Jorn Rohde deklaroi se po vazhdojnë të qëndrojnë afër Kosovës në luftën kundër pandemisë dhe solidariteti gjerman mbetet elementi kyç në këtë përpjekje.
“Gëzohem që donacioni ynë do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor të Kosovës në luftën kundër pandemisë. Zbulimi i rasteve të infektimit me COVID-19 dhe parandalimi i përhapjes së mëtejshme të virusit mbetet qëllim kryesor. Virusi vazhdon të jetë kërcënim dhe është ende gjerësisht i pranishëm në shoqëritë tona. Edhe përkundër rënies së numrit të rasteve të reja ditore në Kosovë e gjetiu, ne duhet edhe më tej t’u përmbahemi udhëzimeve higjienike në mënyrë që të mbrojmë personat e rrezikuar. Gjermania mbetet krah Kosovës dhe vazhdon të mbështes luftën e qeverisë kundër COVID-19”, citohet të ketë thënë amabsadori në komunikatën për media.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia me këtë rast tha është nder të pranojë furnizimin prej 150 mijë seteve për testim COVID-19 nga partneri i vazhdueshëm, Qeveria gjermane që qëndron pranë Kosovës në luftën ndaj COVID-19.
“Shifrat ditore të infektimeve me COVID-19 ndonëse janë normalizuar, ato ende paraqesin një sfidë reale për ne dhe kontinentin, ashtu që shkëmbimi i përvojave në menaxhimin e situatës, si dhe mbështetja e Gjermanisë për Kosovën janë shumë të rëndësishme. E falënderojmë ambasadorin për donacionin e vlefshëm në të mirë të ngritjes së kapaciteteve testuese për diagnostikimin e COVID19 dhe në veçanti për krijimin e mundësive për të rritur kapacitetin për testime të shpejta. […] Kjo mbështetje e Gjermanisë do të na ndihmojnë të gjithëve për të ecur përpara me kujdes dhe krahas testimeve dhe gjurmimeve të rasteve me COVID19, vaksinimi do të vazhdojë dhe synimi ynë për të vaksinuar 60% të qytetarëve deri në fund të vitit 2021 mbetet një përqendrim kyç”, citohet Vitia.
Deri më tani Gjermania ka ndihmuar Kosovën me donacione të shumta të pajisjeve mjekësore, mbrojtëse dhe higjienike në vlerë prej 4.72 milionë eurove, një mision të gjerë ekspertësh nga Instituti Robert-Koch, një kontribut të rëndësishëm në vlerë mbi 5 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, e gjithashtu edhe me donacione për grupet më të cenueshme të shoqërisë.
Gjermania gjithashtu është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të ndihmuar Kosovën në tejkalimin e pandemisë me më shumë se 170 milionë euro; të alokuara në mbështetje të Kosovës. Për më tepër, Gjermania është kontribuuesi më i madh bilateral në fushatën e vaksinimit përmes Aleancës Globale të Vaksinimit COVAX që ka për qëllim qasje të barabartë në vaksinat kundër COVID-19.