UBT News

Gjermania i dërgon porosi Vuçiqit: Pa sqarim me Kosovën, s’ka anëtarësim në BE

Deputeti i Bundestagut, i cili është edhe raportues për Ballkanin Perëndimor, Adis Ahmetoviq, sot ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka folur për marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Serbisë.

Temë e bisedës me tyre ishte edhe çështja e Kosovës, për të cilën Ahmetoviq i tha Vuçiqit se anëtarësimi i Serbisë në BE është i mundshëm vetëm pas një sqarimi përfundimtar me Kosovën, njofton Klan Kosova.

“Integrimi i mëtejshëm në BE dhe një perspektivë e besueshme e anëtarësimit në BE janë gjithashtu në krye të agjendës. Por kjo përfshin edhe një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Vetëm kur kjo të sqarohet përfundimisht është e mundur që të dyja vendet të anëtarësohen në BE”.

Në bisedën 45 minutëshe mes deputetit gjerman dhe presidentit serb, u lavdëruan edhe marrëdhëniet mes dy vendeve, për të cilat Ahmetoviq tha se është i interesuar që t’i avancojnë.

“Marrëdhëniet dypalëshe mes Gjermanisë dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të besueshme dhe të ngushta. Përveç kësaj, Serbia ka bërë përparim të madh ekonomik në vitet e fundit. Kjo e bën vendin një forcë të rëndësishme lëvizëse për rajonin. Megjithatë, kjo vjen me përgjegjësi dhe pritshmëri. Serbia ka detyrën e rëndësishme për të kontribuar në mënyrë proaktive në stabilizimin e rajonit dhe ndërtimin ose mbështetjen e urave të mirëkuptimit. Krahas integrimit në BE, bashkëpunimi me vendet fqinje dhe stabiliteti rajonal janë gurthemel për sigurimin e stabilitet dhe progresit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Ahmetoviq.

Exit mobile version