Gjermania do të rrisë pagën minimale të vendit në 12 euro në orë. Kjo do të ndodhë në tetor, njoftoi qeveria, përcjell UBT News.
Kancelari Scholz tha se nga ligji i ri do të përfitojnë më shumë se 10% e popullsisë që punon në vend.
Projektligji u miratua si pjesë e një marrëveshjeje koalicioni midis partisë Social Demokrate (SPD) të Scholz-it, të Gjelbërve dhe Partisë Liberale Demokratike të Lirë (FDP).
Kjo masë është vendosur të rrisë pagat për afro 6.2 milionë punëtorë, duke përfshirë qytetarët e vetëpunësuar dhe punëtorët fleksibël.
Gjermania planifikon të rrisë pagën minimale në dy faza, nga 9,82 euro në 10,45 euro më 1 korrik dhe më pas në 12 euro më 1 tetor, transmeton UBT News.
Ministri i Punës, Hubertus Heil tha se nga ligji do të përfitojnë veçanërisht gratë, si dhe punëtorët “në lindje të vendit” dhe “ata që e mbajtën Gjermaninë në këmbë gjatë pandemisë”.
Së bashku me rritjen e pagës minimale, qeveria miratoi një rritje të të ardhurave mujore për të ashtuquajturat punë me kohë të pjesshme – nga 450 euro në 520 euro.
Masa do të rrisë gjithashtu fuqinë e përgjithshme blerëse në Gjermani me 4.8 miliardë euro, sipas Konfederatës Gjermane të Sindikatave (DGB)./UBTNews/