Qeveria gjermane po planifikon të pezullojë ndihmën financiare për Afganistanin pasi talibanët ua ndaluan punën grave në Organizata Joqeveritare më 24 dhjetor.
Vendimi i talibanëve ka shtyrë shumë organizata humanitare në Afganistan të ndalojnë operacionet, pasiqë sipas tyre, punëtoret femra janë tejet të rëndësishme për organizatat.
“Duke ndaluar punësimin e grave në organizata joqeveritare, talibanët në Afganistan kanë dhënë një goditje të papërgjegjshme kundër ndihmës për popullin afgan”, tha në një deklaratë ministrja e Zhvillimit, Svenja Schulze.
“Pa punonjëse femra, organizatat nuk mund të vazhdojnë punën e tyre në shumë zona për gjysmën e popullsisë”, shtoi ajo.
Kjo “situatë krejtësisht e re”, siç e përshkroi Schulze, nënkupton se ministria që ajo drejton dhe Banka Botërore do të ftojnë palët e interesuara në Fondin e Mirëbesimit për Rindërtimin e Afganistanit, i cili koordinon ndihmën ndërkombëtare për Afganistanin, për të diskutuar nëse dhe si do të vazhdojnë përpjekjet humanitare.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock – një avokuese e “politikës së jashtme feministe” – dënoi ashpër vendimin e talibanëve.
“Ne nuk do të pranojmë që #Talibanët ta bëjnë ndihmën humanitare një peng në përbuzjen e tyre për gratë”, shkroi ajo mes tjerash në Twitter.
Trupi Koordinues i Agjencisë për Ndihmën dhe Zhvillimin në Afganistan (ACBAR), një organizatë ombrellë për 183 grupe ndihme lokale dhe ndërkombëtare, tha se shumë nga anëtarët e saj tashmë i kanë pezulluar operacionet dhe se “kërkohet më shumë qartësi për një masë kaq drastike”./UBTNews/