Ministri gjerman i ekonomisë ka paralajmëruar se vendi i tij, ekonomia më e madhe e Evropës, do të goditet pas luftës në Ukrainë.
Robert Habeck tha për transmetuesin publik ZDF se “do të jemi më të varfër”.
“Nuk është e mundur që kjo të përfundojë pa kosto për shoqërinë gjermane, është e paimagjinueshme. Ne jemi gati të paguajmë këtë çmim që është mjaft i vogël në krahasim me vuajtjet në Ukrainë. Ne po paguajmë një çmim të lartë, një çmim që nuk është i krahasueshëm me çmimin që po paguajnë ukrainasit. Ata po vdesin, po zhvendosen, po bombardohen, ne kemi një inflacion të lartë,” tha ai.
Të mërkurën, Gjermania lëshoi një “paralajmërim të hershëm” paraprak për mungesat e mundshme të gazit natyror pasi Rusia tha se donte të paguhej në rubla dhe kërcënoi se do të ndërpresë furnizimet nëse kjo nuk ndodh.
Gjermania tha se ishte e angazhuar për një marrëveshje të G7 që furnizimet e energjisë nga Rusia do të paguheshin vetëm në euro ose dollarë amerikanë.
Rusia më vonë tha se Gjermania mund të paguante në euro, të cilat më pas do të konvertoheshin në rubla nëpërmjet Gazprom Bank, e cila nuk ndikohet nga sanksionet. Kancelari gjerman Olaf Scholz nuk u pajtua me këtë dhe ka kërkuar informacione të mëtejshme me shkrim.