UBT News

Gjermania do të dërgojë sistem të mbrojtjes ajrore dhe gjurmues radar në Ukrainë

Gjermania do të furnizojë Ukrainën me raketa-hedhës të shumtë, një sistem modern të mbrojtjes ajrore dhe një gjurmues radar për zbulimin e artilerisë, u tha ligjvënësve kancelari, Olaf Scholz, të mërkurën, pas vonesave që i kanë shkaktuar vendit kritika të përhapura.

Gjermania planifikon të dorëzojë katër raketahedhës të shumëfishtë, MARS II, në Ukrainë, nga stoqet e saj ushtarake, nëse është e mundur deri në fund të qershorit, në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, mësoi dpa nga burime qeveritare. ShBA do të trajnojë ushtarët ukrainas për të përdorur sistemet.

Ukraina e ka vënë Gjermaninë, eksportuesin e pestë më të madh të armëve në botë, nën presion të vazhdueshëm për të ofruar armatime më të rënda dhe më moderne.

Por në krahasim me vendet e tjera në Evropë, qeveria e Scholz-it ishte vonë për të premtuar një mbështetje të tillë, duke argumentuar se Berlini nuk donte të përshkallëzonte konfliktin dhe se ligjet e ndalonin Gjermaninë të furnizonte me armë zonat e luftimit.

Scholz më në fund premtoi se do të furnizonte Ukrainën në maj me armatime më të fuqishme , të tilla si tanke anti-ajrore dhe obusa të blinduara, duke thënë se këto nuk do të shënonin një përshkallëzim të konfliktit, por do të lejonin që Kievi të mbrohej dhe si rrjedhim t’i jepte fund dhunës sa më shpejt të jetë e mundur. /UBTNews/

Exit mobile version