Gjermania ka thënë se ka riatdhesuar tetë gra, të cilat i janë bashkuar grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) dhe 23 fëmijë, nga një kamp në veri të Sirisë.
Ata janë kthyer përmes një operacioni të përbashkët me Danimarkën, e cila ka riatdhesuar tri gra dhe 14 fëmijë, kanë thënë zyrtarët gjermanë.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se gratë kanë qenë në mbajtje dhe përballen me hetime penale.
Qindra evropianë që i janë bashkuar IS-it disa vjet më parë, tani janë nëpër kampe në veri të Sirisë.
Ata janë bartur atje bashkë me mijëra persona që janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, pas mposhtjes së grupit militant, Shteti Islamik në Siri dhe Irak, në mars të vitit 2019.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka thënë se gratë dhe fëmijët kanë arritur në aeroportin e Frankfurtit në mbrëmjen e së mërkurës nga kampi Roj i Sirisë.
Maas ka thënë se është i lumtur për kthimin e tyre në Gjermani, mirëpo “nënat do të përgjigjen për veprimet e tyre”.
“Fëmijët nuk janë përgjegjës për situatën në të cilën janë”, ka thënë ai, duke shtuar se “ata kanë nevojë për mbrojtje”.
Shumë evropianë në kampet siriane janë gra të dyshuara dhe fëmijë të luftëtarëve të IS-it, apo simpatizantë të grupit xhihadist.
Organizatat për të drejta të njeriut u kanë bërë thirrje qeverive që kthejnë qytetarët e tyre, duke argumentuar se lënia e grave dhe fëmijëve nëpër kampe i përball ata me rreziqet e sëmundjeve dhe radikalizmit.
Shumë qeveri kanë konsideruar mundësinë e riatdhesimit në baza individuale, mirëpo disa edhe kanë hezituar për t’i kthyer ata për shkaqe të sigurisë.
Shtetasit e Kosovës në Siri
Rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut. Sipas të dhënave të fundit të Policisë së Kosovës, më së shumti atje ka fëmijë.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës tha se sipas të dhënave të fundit që posedojnë, në zonën e konfliktit edhe më tej vazhdojnë të jenë gjithsej 96 kosovarë, prej të cilëve 43 burra, nëntë gra dhe 44 fëmijë, (përfshirë këtu edhe 32 fëmijë të lindur në zonën e konfliktit nga së paku njëri prind kosovar).
Ndërkaq, organizata Iniciativa Atlantike nga Sarajeva thotë se në zonat e konfliktit vazhdojnë të jenë 97 persona nga Kosova, ndërkaq 400 në total nga Ballkani Perëndimor.
Në muajin prill të vitit 2019, institucionet e Kosovës, të ndihmuar nga autoritetet amerikane, riatdhesuan një grup prej 110 kosovarësh, duke përfshirë katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.
Por, për grupin e mbetur në Siri, institucionet e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion nëse po punohet për riatdhesimin e tyre./REL