Ministrja e jashtme gjermane ka bërë thirrje për sanksione kundër atyre që janë përgjegjës për shtypjen e dhunshme të protestave në Iran.
Ministrja Annalena Baerbock tha se Gjermania do të sigurohet që Bashkimi Evropian të ngrijë asetet dhe të vendosë kufizime. Ajo tha se ata që i rrahin gratë dhe vajzat qëndrojnë në “anën e gabuar të historisë”.
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të vendosin për sanksione më 17 tetor, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Duke folur për një gazetë gjermane, Baerbock kritikoi edhe ata që “dënojnë me vdekje njerëzit që nuk duan asgjë tjetër përveçse të jetojnë të lirë”.
Sanksionet e propozuara vijnë pas protestave që po mbahen pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini. Ajo vdiq në paraburgim pasi u ndalua nga policia morale e Iranit më 16 shtator./UBTNews/