UBT News

Gjermani: Nëna dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesë fëmijëve të saj

Një nënë 28-vjeçare në Gjermani është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesë nga gjashtë fëmijëve të saj në shtëpinë e tyre vitin e kaluar, përcjell UBT News.

Gjykatësi Jochen Kötter e përshkroi rastin si një “tragjedi”, rast ky i cili kishte tronditur Gjermaninë.

Trupat e Melina, Leonie, Sophie, Timo dhe Luca, të gjithë të moshës nga një deri në tetë vjeç, u gjetën të mbuluar dhe në shtretërit e tyre në një apartament në qytetin perëndimor të Solingen në shtator të vitit të kaluar.

Sipas prokurorëve nëna e tyre e identifikuar vetëm si Christiane K., fillimisht i qetësoi fëmijët dhe më pas i mbyti.

Hetuesit besuan se ajo u zemërua pasi pa një foto nga ish-partneri i saj me të dashurën e tij të re. Ajo me këtë rast i kishte shkruar ish-partnerit se ai nuk do t’i shihte më fëmijët e tij, raportoi agjencia gjermane e lajmeve DPA, transmeton UBT News.

Një fëmijë i gjashtë, i madhi i saj, ishte dërguar për të qëndruar me gjyshen e tij përpara vrasjeve.

Gruaja më pas u përpoq të vriste veten duke u hedhur përpara një treni në Duseldorf duke pësuar lëndime të rënda, por jo të rrezikshme për jetën.

Gjatë gjykimit, ajo ka thënë se një person i panjohur kishte hyrë në banesën e saj, e kishte lidhur dhe kishte vrarë fëmijët e saj./UBTNews/

Exit mobile version