Një gjeneral i lartë i ushtrisë amerikane tha të enjten se rritja e shkathtësisë ushtarake të Kinës është mahnitëse dhe se avancimi i saj në fushën e raketave hipersonike është çështje për shqetësim serioz.
“Në pesë vitet e fundit, ndoshta më gjatë, Shtetet e Bashkuara kanë kryer nëntë teste hipersonike. Në të njëjtën kohë, kinezët kanë bërë me qindra”, tha nënkomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së, Gjeneral John Hyten.
“Tani, kjo nuk nënkupton që ne nuk jemi duke lëvizur shpejt në procesin e zhvillimit të armëve hipersonike. Ajo që tregohet është se qasja jonë e zhvillimit është në mënyrë thelbësore ndryshe”, shtoi ai.
“Ta quash Kinën kërcënim në ardhje është e dobishme, sepse ritmi me të cilin po lëviz Kina është mahnitës”, shtoi zyrtari i lartë ushtarak, shkruan Independent.
Gjenerali Hyten theksoi se rritja ushtarake e ShBA-së është goditur nga burokracia.
“Nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara, por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë, sepse kjo është gjëja që vërtet e ndryshon lojën”, tha ai.
“Nëse janë vetëm Shtetet e Bashkuara, do të jetë problematike për pesë vjet, por nëse janë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë, mendoj se do të jemi mirë për një kohë”, shtoi ai.
Komentet e tij erdhën disa ditë pas raportimeve se Kina ka testuar një shkathtësi të re në hapësirë me një raketë hipersonike që mund të sillet rreth Tokës para se ta godasë cakun, një përpjekje për t’i anashkaluar sistemet amerikane të mbrojtjes, thonë ekspertët.