Një gjeneral i lartë i ushtrisë ruse është plagosur pasi është qëlluar disa herë me armë zjarri në Moskë. Bëhet fjalë për gjeneral-lejtnant Vladimir Alexeyev, një nga zyrtarët kryesorë të Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Ruse (GRU).
Ngjarja ka ndodhur në një ndërtesë banimi në periferi veriperëndimore të Moskës, në zonën e autostradës Volokolamsk. Alexeyev është dërguar menjëherë në spital, ndërsa autoritetet ruse nuk kanë bërë të ditur gjendjen e tij shëndetësore.
Komiteti Hetimor i Rusisë ka njoftuar se ka hapur një çështje penale për tentativë vrasjeje, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve vijojnë.
Gjeneral Alexeyev ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Ukrainë dhe ishte nën sanksione të Bashkimit Evropian, pas akuzave ndaj GRU-së për përfshirje në sulmin me agjent nervor në Salisbury të Britanisë së Madhe në vitin 2018.
Ky është një tjetër incident serioz që përfshin figura të larta ushtarake ruse në kryeqytet, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
