UBT News

Gjeneral Bashkim Jashari viziton trupat e FSK-së në SHBA

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtnant Bashkim Jashari, ka zhvilluar një vizitë në zonën e trajnimit të Joint Readiness Training Center (JRTC) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po trajnohen pjesëtarë të FSK-së.

Vizita u zhvillua me rastin e Ditës së Vizitorëve të Shquar (DVDay), gjatë së cilës gjenerali Jashari u takua me personelin ushtarak të FSK-së që po marrin pjesë në trajnimin për gatishmëri dhe dislokim në kuadër të programeve shumëkombëshe.

Në adresimin e tij para trupave, komandanti i FSK-së theksoi se partneriteti me Gardën Kombëtare të Iowas është ndërtuar ndër vite dhe ka avancuar drejt trajnimeve të përbashkëta, duke kulmuar me përgatitjet për një zbarkim të përbashkët në Lindjen e Mesme.

“Sot ky synim është bërë realitet, falë përkushtimit të pjesëtarëve tanë dhe mbështetjes së palëkundur nga Garda Kombëtare e Iowas, e udhëhequr nga gjeneralmajor Stephen Osborn,” u shpreh gjenerali Jashari.

Ai nënvizoi rëndësinë e ngritjes së një force profesionale, të ndërveprueshme me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe të gatshme për të kontribuar në misione paqeruajtëse.

Gjenerali Jashari falënderoi gjithashtu personelin e JRTC-së për mbështetjen dhe përkushtimin në realizimin e këtij procesi, duke shprehur mirënjohje të veçantë për pjesëtarët e FSK-së që, sipas tij, kanë treguar disiplinë dhe profesionalizëm, duke përfaqësuar me dinjitet Forcën e Sigurisë së Kosovës në një ambient operacional shumëkombësh.

Kjo është hera e parë që FSK-ja merr pjesë në një qendër trajnuese të këtij niveli në SHBA.

Exit mobile version