UBT News

Gjendja në Etiopi: Rebelët Tigray i’u afrohen kryeqytetit, kryeministri zotohet të shkojë në frontin e betejës

Alarmi ndërkombëtar u ngrit dje me përshkallëzimin e luftës në Etiopi pasi rebelët Tigray pretenduan se ishin pranë kryeqytetit Addis Abeba, me c’rast qytetarëve të huaj u tha të largoheshin.

I dërguari i SHBA-së, Jeffrey Feltman, foli për disa përparime në përpjekjet për të arritur një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit brutal njëvjeçar, por paralajmëroi se kjo po rrezikohej nga “zhvillimet alarmante” në terren.

Kombet e Bashkuara thanë se kishin urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të anëtarëve të familjes së stafit ndërkombëtar, ndërsa Franca u bë qeveria e fundit perëndimore që u tha qytetarëve të saj të largoheshin nga Etiopia.

Fronti rebel i Çlirimit të Popullit Tigray (TPLF) pretendoi këtë javë se kishte marrë një qytet vetëm 220 kilometra (135 milje) nga kryeqyteti, megjithëse pretendimet është vështirë për t’u verifikuar për shkak të ndërprerjes së komunikimit.

Të hënën, kryeministri Abiy Ahmed u zotua se do të shkonte në frontin e betejës për të udhëhequr ushtarët e tij në atë që qeveria e ka përshkruar si një “luftë ekzistenciale”.

“Tani jemi në fazat përfundimtare të shpëtimit të Etiopisë”, tha Abiy, i cili vetëm dy vjet më parë u nderua me Çmimin Nobel për Paqe për sigurimin e një marrëveshje paqeje me Eritrenë fqinje.

Mijëra njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i luftimeve në nëntor 2020, duke shkaktuar një krizë të dëshpëruar humanitare që OKB thotë se ka lënë qindra mijëra në prag të urisë dhe ka zhvendosur më shumë se dy milionë njerëz.

Zhvillimet e fundit hedhin dyshime mbi shpresat për një fund të konfliktit, i cili ka ngjallur frikën se mund të mbjellë një destabilitet më të gjerë në atë rajon.

Zyrtarët në Addis Abeba thanë në një konferencë se forcat e sigurisë po punonin për ta mbajtur qytetin të sigurt.

“Propaganda dhe bisedimet për terrorin që shpërndahen nga media perëndimore janë plotësisht në kundështrim me gjendjen paqësore të qytetit, kështu që komuniteti diplomatik nuk duhet të ndiejë shqetësim apo frikë”, tha Kenea Yadeta, kreu i Byrosë së Paqes dhe Sigurisë në Addis Abeba./UBTNews/

Exit mobile version