Tre personat e plagosur në Runik të Skenderajt janë dërguar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa njëri prej tyre është në kujdes intensiv.
Avdush Bajgora nga Emergjenca e QKUK-së, tha se njëri nga të plagosurit do të vazhdojë trajtimin jashtë vendit.
Ai bëri të ditur se lëndimet kanë qenë serioze, ndërsa sipas tij parametrat e pacientëve të pranuar në reanimacion janë stabile.
“Në qendrën emergjente kanë kërkuar ndihmë tre pacientë si rezultat i lëndimit me armë zjarri nga të cilët njëri i është nënshtruar intervenimit kirurgjikal dhe ndodhet në mjekim intensiv, njëri nga pacientët është dërguar në Klinikën e Ortopedisë ndërsa njëri pritet se do të vazhdojë trajtimin jashtë vendit. Lëndimet kanë qenë serioze ndërsa sa i përket paramertrave vitale flas gjithmonë për pacientët të cilët kanë qenë në reanimacion, parametrat janë stabile, ndërsa lëndimet janë serioze”, tha Bajgora.
Specialisti anesteziolog në repartin intensiv, Betim Merdiu, tha se gjendja e njërit nga të plagosurit është e rëndë, duke treguar se këmba e tij është e amputuar poshtë gjurit.
“Në orën e mëngjesit është sjellë një pacient nga salla e kirurgjisë urgjente, gjerësisht si pasojë e lëndimeve të marra nga armët e zjarrit, është punuar nga ekipa kujdestare nga mjeku ortoped dhe kirurg vaskular, kirurg plastik dhe nga ekipa e anestezionit. Në mjekimin intensiv pacienti trajtohet me produkte te gjakut si pasojë e shokut hemorragjik, gjendja e pacientit vazhdon të jetë e rënduar, është bërë amputimi nën gjurin e këmbës si pasojë e plagëve të ndërmarra, është bërë intervenimi kirurgjik. Për momentin gjendja është e rënduar, pacienti i gjinisë mashkull mosha 31 vjeçare. Në mjekimin intensiv është pranuar vetëm një pacient prej plagëve të marra dhe si pasojë e përkeqësimit të gjendjes”, tha ai.
Vrasja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt, ku ka mbetur i vrarë një person dhe tre të tjerë janë plagosur.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për KosovaPress se ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:21.
Siç tha ai, njëri nga të lënduarit, viktima N. L 39-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.