13 persona mbrëmë kanë kërkuar ndihmë në Klinikën Emergjente, si shkak i lëndimeve trupore nga mjetet piroteknike. Dy prej tyre kanë marrë lëndime më të rënda, ku një po trajtohet në Neurokirurgji, ndërsa tjetri në Ortopedi.
Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente, Agron Çitaku për KosovaPress, thotë se ka qenë një fluks normal i qytetarëve, krahasuar me vitet paraprake.
“Mund të them se është me fat në krahasim me vitet tjera, sepse është numër më i vogël i të lënduarve. Prej mjeteve piroteknike i kemi 13 të lënduar. Dhe dy raste që janë pak më të rënda, është një me lëndimin me plumb qorre, si dhe njëri që është edhe ai me mjete piroteknike, por është me amputim të dorës të pjesës së poshtme. Rastet e tjera kanë shkuar në shtëpi, megjithatë dy raste kanë mbetur për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK, për momentin mund të themi se është stabile”, theksoi ai.
Çitaku shton se gjatë tërë kohës kanë bërë apel te qytetarët që të festojnë pa armë dhe mjete piroteknike, megjithatë sipas tij ka pasur lëndime.