Ministria e Infrastrukturës ka publikuar raportin mbi gjendjen aktuale të rrugëve në Kosovë, ku gjendja më e vështirë është paraqitur në rajonin e Gjakova, ku gjatë ditës së kaluar ka pas intervenime në të gjitha akset rrugore për shkak të reshjeve të borës.
Po ashtu, është intervenuar me kripë në të gjitha akset. Ndërsa, bëhet e ditur se në këtë rajon gjatë ditës janë hapur kanale në vendet ku ka pasur nevojë për largimin e ujit.
“Të gjitha rrugët janë të hapura dhe pa ngrica”, thuhet në raport.
MI informon se për shkak reshjeve të borës auto-udha R6 Hani i Elezit nga ora 15:00 deri në ora 22:00 dhe temperaturave nën zero (-3) është intervenuar me kripë dhe pastrim bore mbrëmë, ndërsa sot temperatura ishte nënë zero (-5) është intervenuar me kripë si preventivë për parandalim të krijimit të ngricave në shtresat qarkulluese.
“Në rajonin e Gjilani 1 gjendja e rrugëve është e mirë, është intervenuar në gjitha drejtimet në hedhjen e kripës për shkak të ngricave dhe është pastruar bora. Auto-udhët: R7, N9, R6, si dhe auto-udha A6 Konjuh-Doganaj dhe Gjakova janë krejtësisht të lira për qarkullim. Për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe temperaturave të ulëta në rajonin e Prizrenit ka ngrica dhe është intervenuar në pastrimin e borës dhe shpërndarjen e kripës në rrugët: M25 Prizren -Morinë, R115 Prizren – Prevallë , R113 Zhur -Dragash- Restelicë, R114 Dragash – Brod, ndërsa bora është pastruar në rrugët R115 Prizren -Prevallë, R114, Dragash – Brod dhe R113 Dragash – Restelicë. Rrugët janë të hapura por, qarkullimi duhet të bëhet me kujdes të shtuar sepse ka akull dhe ngrica në rrugë. Në regjionin Peja ka temperatura mjaft të ulëta dhe ngrica, është bërë shpërndarja e kripës në të gjitha rrugët. Të gjitha rrugët janë të kalueshme. Për shkak të reshjeve të borës nga ora 14:00 deri ne ora 18:30 dhe temperaturave nën zero u intervenua me kripë e rërë, si dhe pastrim të borës në orët e mbrëmjes dhe në orët e mëngjesit”, thuhet në njoftim.
Ministria e Infrastrukturës ka lutur të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë ngasjes dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës.