Pas rreth 27 vjetëve pas luftës, është gjetur trupi i pajetë i Rasim Mehmet Kocit, i cili ishte zhdukur më 1 prill të vitit 1999 në afërsi të fshatit Osek Hylë.
Siç ka njoftuar familja, ai ishte arrestuar nga forcat serbe dhe më pas ishte vrarë e trupi tij ishte zhdukur. Eshtrat e tij janë identifikuar dhe do i dorëzohen familjes të premten, më 30 janar.
“Familja Koci është një nga familjet që ka pësuar humbje të rënda gjatë luftës në Kosovë. Përveç Rasim Mehmet Kocit, kjo familje ka dhënë edhe dy martirë të tjerë: Afrim Idriz Koci dhe Besim Idriz Koci, të cilët u vranë brutalisht më 25 mars 1999 nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe. Homazhet për Martirin e luftës Rasim Mehmet Koci do të mbahen më 31 janar 2026, nga ora 12:00 deri në 13:00, në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, ndërsa varrimi do të bëhet në ora 13:30, në Varrezat e Dëshmorëve në Qabrat”, shkruan në njoftimin e familjes së Rasim Kocit.
