John McAfee, krijuesi i softuerit të sigurisë, u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare. Ai u gjet i vdekur në burgun e Spanjës, ku po mbahej tash e sa muaj deri në pritje të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një zëdhënëse e Gjykatës së Katalonjës njoftoi se rasti i vdekjes së tij është nën hetime.

Autoritetet spanjolle e arrestuan McAfee në aeroportin e Barcelonës në tetor të vitit 2020 pas një padie nga prokurorët federalë në ShBA në lidhje me mashtrime dhe afera të pastrimit të parave.
McAfee u akuzua gjithashtu për fshehje të pasurisë, duke përfshirë një jaht dhe pronë të paluajtshme, të cilat i kishte deklaruar në emër të dikujt tjetër.
Gjykata Kombëtare e Spanjës mori vendim mëngjesin e së mërkurës që ai të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./UBTNews