UBT News

Gjendet gjak në anijen e gazetarit britanik të zhdukur në Brazil

Policia në Brazil po ekzaminon gjakun e gjetur në kërkimin e gazetarit britanik Dom Phillips dhe ekspertit vendas indigjen, Bruno Pereira.

Gjurmët e gjakut të gjetura në një varkë që i përket një peshkatari, i cili është arrestuar, do të testohen për të parë nëse bëhet fjalë për njerëz apo kafshë.

Gazetari dhe eksperti u zhdukën ndërsa udhëtonin me varkë në pyllin tropikal të Amazonës të dielën.

Z. Pereira së fundmi mori kërcënime për shkak të punës së tij kundër peshkimit të paligjshëm.

Autoritetet thanë se shpresonin t’i gjenin të gjallë dy burrat, por nuk përjashtuan ndonjë rezultat, përfshirë atë të vrasjes në një rajon ku trafiku i drogës dhe gjuetia e paligjshme janë tejet të përhapura, raporton AFP.

Si Pereira, 41, ashtu edhe z. Phillips, 57, i cili ka shkruar për kërcënimet ndaj Amazonës për botime si Guardian dhe Washington Post, kanë përvojë të madhe dhe i kanë planifikuar udhëtimet e tyre tërësisht. Thuhet se ata kishin një varkë të re, e cila e ishte e pajisur me shumë karburant.

Në Londër, motra e gazetarit, Sian Phillips, u bëri thirrje autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar që të bëjnë presion ndaj qeverisë braziliane për të gjetur dy burrat.

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro tha: “Le t’i lutemi Zotit që ata të jenë ende gjallë”, por shtoi: “Me çdo ditë që kalon, ato shanse zbehen”.

Gjurmët e gjakut u gjetën në varkën e peshkatarit Amarildo da Costa. Ai është akuzuar për mbajtje pa leje të municionit të kufizuar.

Policia thotë se ai ishte një nga njerëzit e fundit që Pereira dhe Phillips panë.

Gjashtë persona të tjerë janë marrë në pyetje në lidhje me zhdukjen e burrave./UBTNews/

Exit mobile version