Autoritetet në kërkim të një studenti në Xhorxhia, i cili është zhdukur për më shumë se 45 vjet, gjetën makinen e tij në një përrua në Alabama – së bashku me portofolin, kartën e identitetit dhe mbetjet e dyshuara njerëzore.
Kyle Clinkscales, një student në Universitetin Auburn, u pa për herë të fundit natën e 27 janarit 1976, kur ai u largua nga vendlindja e tij LaGrange, për t’u kthyer në kampus me Ford Pinto-n e tij të vitit 1974, tha sherifi James Woodruff në një konferencë shtypi një ditë pas zbulimit.
22-vjeçari nuk mbërriti kurrë në shkollën e Alabamës dhe as ai dhe as makina nuk u panë më – deri tani!
“Për 45 vjet, ne kemi kërkuar për të dhe makinën e tij. Ne kemi ndjekur qindra pista dhe kurrë nuk kemi pasur ndonjë zhvillim thelbësor nga ato pista”, tha Woodruff.
Ai tha se ata kanë kryer kërkime të shumta me shpresën për të gjetur Clinkscales.
Të martën, dikush thirri 911 për të raportuar se kishte parë atë që dukej të ishte një makinë në një përrua jashtë County Road 83, rreth një milje nga County Road 388, tha majori Terry Wood.
Kur autoritetet mbërritën, ata panë automjetin pjesërisht të zhytur në ujë, për të cilin Wood tha se ishte e dukshme nga rruga me dy korsi që kalon mbi përrua.
Sherifi i Qarkut Chambers, Sid Lockhart tha se makina u gjet rreth tre milje larg nga ajo që do të kishte qenë rruga normale e Clinkscales për t’u kthyer në shkollë. Ai tha se nuk e dinte nëse zona ishte kontrolluar kur Clinkscales fillimisht u zhduk.
Ai shtoi se nuk e di nëse bagazhi i veturës u hap pas disa vitesh në ujë, apo nëse niveli i ujit në përrua ka rënë.
Zyrtarët lokalë më pas kontaktuan Zyrën e Sherifit të Qarkut Troup, e cila përdori numrin e etiketës përmes sistemit të saj dhe përcaktoi se ishte makina e Clinkscales.
Ai tha se pjesa e sipërme e makinës “është plotësisht” e ndryshkur, por autoritetet zbuluan një portofol, kartë krediti, ID të Clinkscales dhe disa kocka.
Woodruff tregoi se Byroja e Hetimit të Gjeorgjisë janë duke e hetuar makinën dhe do të përcaktojnë nëse eshtrat janë të studentit në fjalë. duke theksuar se ata besojnë se eshtrat janë të natyrës njerëzore.
Woodruff tha se ai shpreson se një shkak i vdekjes mund të përcaktohet “por ne nuk mund ta dijmë kurrë”.
Nëna e studentit vdiq në fillim të këtij viti ende duke shpresuar se djali i saj do të kthehej në shtëpi, tregoi ai./UBTNews/