Prokurorët polakë kanë përfunduar hetimet mbi mbetjet skeletore që u gjetën në vendin ku diktatori gjerman, Adolf Hitler dhe liderë të tjerë nazistë kaluan kohën gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Eshtrat u gjetën më 24 shkurt në Wolf’s Lair, e cila shërbeu si selia kryesore e Hitlerit për Frontin Lindor midis viteve 1941-44, kur Polonia u pushtua nga Gjermania. Ky zbulim ngjalli interes për të zbuluar identitetin e atyre të cilëve iu gjetën eshtrat, por hetimet dështuan për shkak të gjendjes së mbetjeve dhe kalimit të kohës.
Një zëdhënës i zyrës së prokurorit afër qytetit Ketrzyn, Daniel Brodowski, tha se zyrtarët policorë siguruan mbetjet pasi ato u gjetën nga një grup lokal, Latebra, i cili merret me gjurmimin e objekteve historike.
Një ekspert mjeko-ligjor i ka ekzaminuar nën mbikëqyrjen e prokurorisë, e cila po përpiqej të përcaktonte nëse kishte ndodhur vrasja nga pakujdesia. Brodowski njoftoi përmes një deklarate se hetimi u ndërpre në fund të marsit për shkak të mungesës së provave se ishte kryer një krim./UBTNews/