UBT News

​Gjenden mbetje mortore në Rahovec

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, pas analizimit të të dhënave të siguruara nga arkivat ndërkombëtare me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ka iniciuar aktivitetet kërkimore në një lokacion në rajonin e Rahovecit, të njohur në evidencat e kadastrës dhe nga komuniteti lokal si ‘Përzhina’, në afërsi të varrezave të qytetit.

Gërmimet kanë filluar ditën e djeshme, ku janë gjetur dy pjesë eshtërore, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa sot janë gjetur mbetje mortore te të paktën një individi, të cilat mund t’i përkasin viktimave të luftës që mund të jetë në listën e personave të zhdukur, thuhet në njoftim.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton se ditën e premte, më 19 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 11:00, do të ketë prononcim për media nga lokacioni në fjalë lidhur me ecurinë e deritanishme të aktiviteteve kërkimore në këtë lokacion dhe lokacionet tjera.

Gërmimet po realizohen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës./S.K/KP/

Exit mobile version