Janë gjetur mbetje mortore të një personi të paidentifikuar në varrezat e qytetit të Gjakovës, në lagjen Brekoc, në vendin ku janë të varrosur dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë.
Policia e Gjakovës njofton se mbetjet mortore dyshohet që i përkasin një ushtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meqë ishte me veshje ushtarake dhe me emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot me datë 15.02.2021 rreth orës 10:00, Stacioni policor – Gjakovë ka pranuar informatë se në varrezat e qytetit të Gjakovës që janë më lokacion në lagjen e Brekocit, në vendin ku janë të varrosur dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë, janë gjetur mbetje mortore të një personi të pa identifikuar- panjohur, e që ishte me veshje ushtarake dhe emblemë të UÇK-së. Patrulla policore ka dalë në vend të ngjarje, ka kontaktuar me dëshmitarin e rastit, e që është dhe punëtor i varrezave të qytetit, dhe njofton se derisa po hapte një gropë varri ka hasur në mbetjet mortore në fjalë. Dyshohet se mbetjet mortore i përkasin një ushtari të UÇK-së deri tani të pa identifikuar, gjithashtu nuk dihet dhe nga kush është varrosur aty. Në vend ngjarje ka dalë njësia e hetimeve të stacionit policor – Gjakovë, ato Rajonale dhe pritet së shpejti të dalë dhe Njësia qendrore e Hetimit të Krimeve të Luftës”, thuhet në komunikatë./UBTNews