UBT News

Gjenden eshtra në Suhodoll, dyshohet se mund të jenë të ndonjë viktime të luftës

Pas gërmimeve në Suhodoll të Mitrovicës së Veriut, sot janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të një viktime, i cili thuhet se mund të jetë në Listën e Personave të Zhdukur.

Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen për ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së”, thuhet në komunikatën e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Edhe para dy muajsh, ky Komision kishte njoftuar për një aksion të ngjashëm, pasi një ekip mjekoligjor kishte tërhequr mbetje mortore nga një lokacion në veri të vendit dhe i kishte dërguar ato për ekzaminim të mëtejmë mjekoligjor.

Gjatë luftës së viteve 1998/’99 në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, 10.794 shqiptarë, 2.119 serbë, ndërsa të tjerët u përkasin etnive të tjera.

Nga rreth 6.000 njerëzit e zhdukur me forcë atëkohë, të pagjetur sot mbeten edhe më shumë se 1.600 njerëz. Shumë prej të zhdukurve u gjetën ndër vite nëpër varreza masive në Serbi.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukurnë kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Një vit pas, asgjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë, të gjitha kanë mbetur vetëm në letër.

Exit mobile version