UBT News

Gjatë verës ju bien më shumë flokë? Ja pse ndodh dhe si ta ndalni

Nuk është vetëm ndjenja juaj – temperaturat, dielli dhe klori ndikojnë në ciklin e flokëve, por me kujdesin e duhur, gjithçka kthehet në normalitet.

Nëse ju duket se flokët po ju bien më shumë, mos u shqetësoni, në shumicën e rasteve bëhet fjalë për një reagim natyral të trupit ndaj kushteve të jashtme.

Kur temperaturat rriten, flokët vuajnë. Rrezet dhe ekspozimi ndaj UV-ve i than dhe i dëmtob fijet, djersa e lagështia bllokojnë folikulat, duke shkaktuar irritime të kokës. Nëse kësaj i shtoni edhe kripën e detit, përfitoni kombinimin që e bën flokun më të dobët, më të brishtë dhe më të prirë për të rënë.

A është ky fenomen i lidhur me ndonjë proces natyror?

Shumë dermatologë dhe trichologë besojnë se ka edhe arsye evolutive: gjatë verës, flokët bëhen më të dendur për të mbrojtur kokën nga dielli. Por, kur vera përfundon, kjo “mburojë e përkohshme” nuk është e nevojshme e bie. Kjo është arsyeja pse njerëzit vërejnë rënie të shtuar të flokëve gjatë gushtit e shtatorit.

Lajm i mirë: kjo rënie sezonale e flokëve nuk është e përhershme

Ky proces quhet efluvium telogjen, një gjendje ku një numër më i madh i qimeve kalon njëkohësisht në fazën e pushimit. Flokët bien përkohësisht, por më pas rifillojnë ciklin e rritjes. Edhe pse mund të duket shqetësuese, nuk bëhet fjalë për humbje të përhershme në shumicën dërrmuese të rasteve.

Si të kujdeseni për flokët gjatë verës?

1. Hidratimi është themeli:

Pini mjaftueshëm ujë dhe kujdesuni që dieta juaj të jetë e pasur me vitamina (si biotina dhe B12), minerale (si zinku dhe hekuri) dhe yndyrna të shëndetshme.

2. Përdorni produkte ushqyese:

Aplikoni vajra natyralë si vaji i kokosit apo i arganit, si dhe maska ushqyese me gjalpë shea, për të rikthyer lagështinë dhe elasticitetin e humbur.

3. Zgjidhni shampo pa sulfate dhe aromë:

Shampot e buta ndihmojnë në shmangien e irritimit të lëkurës së kokës dhe ruajnë baraspeshën natyrale të yndyrës.

4. Kufizoni mjetet termike (piastra, tharëse, figaro):

Nëse i përdorni, sigurohuni të aplikoni gjithmonë mbrojtje nga nxehtësia, pasi temperaturat e larta e dëmtojnë strukturën e fijeve.

5. Një truk i thjeshtë por efektiv:

Lani flokët me ujë të pastër para dhe pas notit – kjo ndihmon në reduktimin e absorbimit të kripës apo klorit.

6. Masazhoni skalpin:

Përdorimi i një masazheri për kokën mund të ndihmojë jo vetëm në relaksim, por dhe në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, duke forcuar rrënjët e flokëve.

Kur duhet të kërkoni ndihmën e mjekut?

Nëse rënia e flokëve zgjat më shumë se 2–3 muaj, shfaqen zona pa flokë, kruarje apo ndjeshmëri në lëkurën e kokës, është e rëndësishme të konsultoheni me një dermatolog. Vetëm një profesionist mund të përcaktojë shkakun dhe të rekomandojë trajtimin e duhur.

Përfundim

Rënia sezonale e flokëve gjatë verës është një proces natyral dhe i përkohshëm. Me kujdesin e duhur dhe pak durim, flokët tuaj do të rifillojnë të duken të shëndetshëm dhe të fortë me afrimin e vjeshtës.

Exit mobile version