Kostoja e projektit të Komisionit Evropian për modernizimin e sistemit të ujitjes në Radoniq dhe Dukagjin është 9.15 milionë euro. Ky projekt ka si qëllim kryesor modernizimin e infrastrukturës për ujitjen e tokave bujqësore, duke kontribuar në zhvillimin e sektorit bujqësor dhe përmirësimin e efikasitetit të menaxhimit të tokave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se ky projekt është një dëshmi e partneritetit të fortë me donatorët ndërkombëtarë, duke shtuar se gjatë qeverisjes së tij, mbështetje në sektorin e bujqësisë ka arritur vlerën e 50 milionë euro.
“Ky projekt është dëshmi dhe rezultat i raportit të shëndosh me partnerët tanë, pasi që vetëm gjatë qeverisjes sonë në sektorin e bujqësisë vlera e mbështetjes nga partneritetet ndërkombëtare është 50 milionë euro. Të investosh në rehabilitim të ujitjes, do të thotë që mbi 11 mijë hektarëve të tokave bujqësore, t’ua mundësosh rritjen e efikasitetit të menaxhimit të tokave. Njëherit përmes këtij projekti, funksionalizohet sistemi i ujitjes së Dukagjinit, i cili aktualisht është jashtë përdorimit”, u shpreh Kurti.