UBT News

Gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për trafikim me njerëz në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur fajtor të pandehurin me inicialet A.P. për veprën penale “Trafikimi me njerëz”, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Samedin Cena, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktakuzës, A.P. dyshohet se nga marsi i vitit 2021 deri më 30 janar 2024, në Gjakovë dhe në disa qytete të tjera, ka trafikuar një grua me inicialet A.V. nga Prishtina, përmes kanosjes, përdorimit të forcës, punës së detyruar dhe formave të tjera të kontrollit e dhunës fizike dhe psikike.

Sipas përshkrimit të rastit, i pandehuri fillimisht kishte krijuar kontakt me të dëmtuarën përmes rrjeteve sociale dhe më pas e kishte punësuar në lokalet e tij në Deçan, Gjakovë, Pejë dhe Klinë.

Gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara dyshohet se ishte detyruar të punonte kundër vullnetit të saj, ndërsa të ardhurat nga puna i merrte i pandehuri. Po ashtu, sipas aktakuzës, ajo ishte detyruar të mbulonte edhe obligimet financiare të tij, përfshirë qiranë e lokaleve, pagat e punëtorëve dhe këstet e kredive.

Dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit në formë të shkruar.

/A.K/

Exit mobile version