Katy Perry dhe aktori Orlando Bloom kanë konfirmuar zyrtarisht ndarjen e tyre, pas gjashtë vitesh të fejuar dhe një vajze të vogël së bashku. Lajmi është bërë i ditur nga mediat amerikane, të cilat publikuan një deklaratë të përbashkët nga përfaqësuesit e çiftit.
Në deklaratë thuhet se Perry dhe Bloom kanë vendosur të “ndryshojnë natyrën e marrëdhënies së tyre” për të fokusuar energjitë tek bashkëprindërimi i vajzës së tyre katërvjeçare, Daisy Dove.
“Ata do të vazhdojnë të shfaqen bashkë si familje, pasi prioriteti i tyre i përbashkët ka qenë dhe do të mbetet rritja e vajzës me dashuri, stabilitet dhe respekt të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë.
Katy Perry, 40 vjeçe, dhe Orlando Bloom, 48, janë lidhur për herë të parë në vitin 2016. Çifti u nda për një periudhë të shkurtër në 2017, por u ribashkuan dhe u fejuan në Shën Valentinin e vitit 2019.
Një vit më pas, Perry zbuloi shtatzëninë në videoklipin e këngës së saj “Never Worn White”. Vajza e tyre lindi në vitin 2020 dhe lajmi u bë i ditur nga UNICEF, ku të dy janë ambasadorë të vullnetit të mirë.
Pavarësisht ndarjes, burime pranë çiftit theksojnë se Perry dhe Bloom janë të përkushtuar ndaj një marrëdhënieje të shëndetshme bashkëprindërimi dhe nuk përjashtohet që të shihen së bashku në publik, për hir të vajzës së tyre.