Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë duke u trajtuar katërmbëdhjetë persona të lënduar nga shpërthimi i një bombole gazi në Ferizaj gjatë së martës.
Anesteziologu Shaqir Uka konfirmoi për Ekonomia Online se gjashtë prej tyre janë në gjendje të rëndë. Ai ka sqaruar se ata janë duke u trajtuar në mjekimin intensiv qendror dhe kanë shkallë të djegies nga 35% deri në 50%, kurse mosha e tyre sillet nga 25 deri në 45 vjeç.
“Disa prej pacienteve më saktësisht 14 prej tyre janë trajtuar në Klinikën Emergjente. Gjashtë prej tyre, më saktësisht pesë të cilët kanë qenë me lëndime më të rënda, janë duke u trajtuar në mjekimin intensiv qendror, kurse njëri prej tyre është dërguar në mjekimin intensiv të Kardiokirurgjis. Mosha sillet nga 25 deri në 45 vjeç. Shkalla sillet nga 35% deri në 50%. Një pacient në gjendje të rëndë, por edhe të tjerët janë të rrezikuar për jetë se e kalojnë shkallën e djegies mbi 35%”, deklaroi Uka.
Ai ka thënë se për shkak të shkallës së lartë të djegies, këta pacientë kanë nevojë për trajtim jashtë vendit.
“Ata kanë shkallë të thellë të djegies dhe kanë nevojë për trajtim më të avancuar, ndoshta edhe jashtë vendit”, shtoi ai.
Pasditen e së martës një bombolë gazi ka shpërthyer në një qendër tregtare në Ferizaj, ku si pasojë mbetën të lënduar shumë persona, përderisa deri më tani nuk dihen shkaqet e zjarrit të shkaktuar.