UBT News

Gjashtë raste të dhunës në familje raportohen në Kosovë

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar më 10 shtator në Prishtinë, Fushë Kosovë, Graçanicë, Malishevë, Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Në Prishtinë, një burrë kosovar është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. Pas intervistimit të palëve, viktima, me pëlqimin e saj dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Fushë Kosovë janë raportuar dy raste. Në njërin rast, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje, ndërsa rasti po hetohet në procedurë të rregullt. Në rastin tjetër, dy burra janë rrahur mes vete pas një mosmarrëveshjeje dhe kanë pësuar lëndime trupore. Të dy kanë marrë tretman mjekësor në QKUK dhe më pas janë arrestuar e dërguar në mbajtje.

Në Graçanicë, një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër, e cila ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është dërguar në strehimore. Rasti është duke u hetuar.

Në Malishevë, një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje tjetër, e cila ka marrë tretman mjekësor. E dyshuara është arrestuar dhe më pas, me urdhër të prokurorit kujdestar, është liruar në procedurë të rregullt.

Në Gjakovë, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një burri tjetër. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë automatike AK-47 me tre karikatorë, një pistoletë, 45 fishekë dhe një boks të hekurit. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Ndërkaq, në Mitrovicën e Jugut, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, ndërsa rasti është në procedurë hetimore.

Sipas Policisë së Kosovës, rastet vazhdojnë të trajtohen nga organet kompetente./A.K/

Exit mobile version