UBT News

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite

Brenda 24 orëve të fundit, në Policinë e Kosovës janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje. Këto raste, sipas raportit të Policisë, kanë ndodhur në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Skenderaj dhe Gjakovë.

Në rastin e parë, i cili ka ndodhur në Fushë Kosovë, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. I dyshuari, pas intervistimit me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Edhe një tjetër arrestim për të njëjtën vepër penale ka ndodhur në Fushë Kosovë. Një burrë është arrestuar nën dyshimin se, duke qenë nën ndikim të alkoolit, ka sulmuar fizikisht një grua. Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Prishtinë, një grua ka raportuar në polici se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga një burrë. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Lipjan, pas një mosmarrëveshjeje mes dy burrave, njëri prej tyre ka ushtruar dhunë fizike ndaj tjetrit. Sipas raportit të Policisë, si viktima ashtu edhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Rasti i radhës është regjistruar në Gjakovë, ku një grua ka raportuar në polici se është keqtrajtuar psiqikisht nga një burrë. Policia njofton se i dyshuari është arrestuar, por pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i fundit ka ndodhur në Skenderaj, ku është arrestuar një burrë nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht një burrë tjetër. Në vendin e ngjarjes, i dyshuari po ashtu ka kanosur dhe ka tentuar t’i sulmojë zyrtarët policorë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Exit mobile version