Policia e Kosovës ka raportuar gjashtë raste të dhunës në familje të regjistruara në komuna të ndryshme të vendit, ku pesë persona janë arrestuar, ndërsa viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor dhe në një rast një i mitur është dërguar në strehimore.
Në Prishtinë, një burrë u arrestua pasi dyshohet se sulmoi fizikisht djalin e tij të mitur. Pas trajtimit mjekësor, i mituri u dërgua në strehimore, ndërsa i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Graçanicë, një grua raportoi se ishte keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari u shoqërua në stacionin policor dhe rasti u procedua në procedurë të rregullt.
Në Kaçanik, policia arrestoi një burrë që dyshohet se kishte sulmuar fizikisht një grua pas një mosmarrëveshjeje. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.
Në Istog, një person u arrestua nën dyshimin se kishte kanosur dy gra. Pas intervistimit, ai u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Gjakovë, policia arrestoi një të dyshuar në lidhje me një rast të mëhershëm të dhunës në familje. Me urdhër të prokurorit, ai u dërgua në mbajtje.
Ndërkohë, në Mitrovicën e Jugut, një burrë u arrestua pasi dyshohet se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Pas intervistimit, edhe ai u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit./A.K/
