UBT News

Gjashtë raste të armëmbajtjes së paautorizuar në Kosovë, sekuestrohen armë dhe fishekë

Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të armëmbajtjes së paautorizuar në Prishtinë, Podujevë, Vushtrri dhe Gjakovë, gjatë të cilave janë sekuestruar armë zjarri dhe municion.

Në fshatin Dumosh të Podujevës, gjatë kontrollit të një personi, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me karikator dhe gjashtë fishekë. Pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, në konsultim me prokurorin.

Në Stacionin Policor Veri në Prishtinë, një grua ka dorëzuar një pistoletë me një fishek, për të cilën ka deklaruar se i përkiste xhaxhait të saj të ndjerë. Arma është sekuestruar, ndërsa e dyshuara është liruar me vendim të prokurorit.

Ndërkaq, në Prishtinë, një i mitur është ndaluar gjatë kontrollit policor, pasi iu janë gjetur 11 fishekë të kalibrit 7.65 mm. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt.

Në rrugën “Ramë Govori” në Prishtinë, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me shtatë fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në fshatin Novolan të Vushtrrisë, gjatë bastisjes së shtëpisë së një personi janë gjetur dhe sekuestruar dy pushkë gjuetie. Rasti vazhdon në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.

Ndërsa në Gjakovë, një i mitur është arrestuar nën dyshimin se kishte shtënë me armë zjarri. Nga ai janë sekuestruar një armë, dy fishekë dhe një gëzhojë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

/A.K/

Exit mobile version