UBT News

Gjashtë raste dhune në familje brenda një dite, tre të dyshuar në mbajtje

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë evidentuar gjithsej gjashtë raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme të vendit. Rastet përfshijnë dhunë fizike dhe psikike, ndërsa në disa prej tyre janë ndërmarrë masa ligjore ndaj të dyshuarve.

Në Prishtinë janë regjistruar dy raste. Në një rast, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj pas një mosmarrëveshjeje. Palët janë shoqëruar në stacionin policor dhe rasti është proceduar në procedurë të rregullt. Në një rast tjetër, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht partneren me të cilën bashkëjeton. I njëjti është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në Ferizaj, është arrestuar një person pasi nëna e tij ka raportuar se i dyshuari, nën ndikim të alkoolit, kishte fyer dhe shtyrë atë. Pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Pejë, është raportuar se një grua ka qenë viktimë e keqtrajtimit fizik nga i dashuri i saj. I dyshuari nuk është gjetur në vendbanimin e tij dhe rasti është duke u hetuar.

Në Vitomiricë, është arrestuar një person nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij. I njëjti është dërguar në trajtim psikiatrik dhe më pas i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me vendim të prokurorit.

Në Mitrovicën e Jugut, është raportuar se një grua ka qenë viktimë e dhunës nga bashkëshorti i saj. Është bërë bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, por nuk është gjetur ndonjë provë dhe nuk është raportuar për ndonjë arrestim.

Exit mobile version