UBT News

Gjashtë raste dhune në familje brenda dy ditësh në Kosovë

Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të dhunës në familje të evidentuara gjatë 11 dhe 12 gushtit në Podujevë, Prishtinë, Klinë, Pejë dhe Mitrovicë të Jugut.

Në Podujevë, dy persona të dyshuar meshkuj dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj një gruaje, e cila është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë janë raportuar dy raste. Në njërin prej tyre, një grua, shtetase e huaj, dhe një burrë kosovar, në gjendje të dehur, kanë sulmuar njëri-tjetrin dhe kanë pësuar lëndime. Të dy kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa policia ka konfiskuar edhe një thikë. Pas konsultimit me prokurorin, të dy janë liruar në procedurë të rregullt. Në rastin tjetër, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj dy grave. Ai është liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Klinë, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka frikësuar një viktimë me thikë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Pejë, një shtetas i Maqedonisë së Veriut është shoqëruar në stacionin policor nën dyshimin për ushtrim të dhunës psikike ndaj një gruaje kosovare. Pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Ndërsa në Mitrovicë të Jugut, një grua dyshohet se ka kanosur me thikë një burrë dhe më pas e ka hedhur thikën, duke goditur një tjetër grua. Viktima ka marrë trajtim mjekësor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt./A.K/

Exit mobile version