Kadri Xhemaili është dënuar me gjashtë muaj burgim për kanosjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në seancën gjyqësore të mbajtur të premten, Xhemaili e ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje. Gjykata ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur mes Prokurorisë dhe mbrojtjes.
Prokurori Bekim Kodraliu tha se marrëveshja është arritur me vullnet të lirë dhe pa presion, ndërsa mbrojtësi i të pandehurit, avokati Rinor Arifi, konfirmoi se mbrojtja qëndron prapa marrëveshjes.
Në seancë ka munguar i dëmtuari Albin Kurti. Sipas gjyqtarit Rrahman Beqiri, Kurti e kishte pranuar ftesën, por mungesën nuk e kishte arsyetuar.
Sipas aktakuzës, më 22 tetor 2025, Xhemaili, me qëllim të frikësimit të Kurtit lidhur me pozitën e tij zyrtare si kryeministër, e kishte kanosur publikisht përmes rrjetit social Facebook, duke i thënë se do ta privonte nga jeta./A.K/
