Gjashtë minatorëve të Trepçës u është përkeqësuar gjendja shëndetësore për shkak të grevës. Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi, ka thënë se të gjithë janë në gjendje të mirë, teksa pesë prej tyre janë liruar për në shtëpi.
“Gjashtë minatorë janë pranuar, pesë prej tyre e kanë marrë terapinë dhe tashmë janë liruar, kurse i gjashti është në proces duke e marrë terapinë. Ata kanë ardhur të lodhur dhe me humbje të lëngjeve. Të gjithë janë liruar për në shtëpi pas marrjes së terapisë”, ka thënë Zhubi.
Kujtojmë se minatorët kanë hyrë në ditën e katërt të grevës, ku po kërkojnë realizimin e pagës mujore, shkarkimin e kryeshefit dhe sigurime shëndetësore e kushte të punës.