Ka shumë faktorë që mund të ndikojnë në pamjen dhe funksionin e gjunjëve, i tillë është edhe dhjami i tepërt rreth tyre që lidhet drejtpërdrejtë me peshën e tepërt.
Edhe pse nuk ekziston asnjë teknikë specifike që të mund të largojë vetëm dhjamin rreth gjunjëve, ka mënyra se si mund të humbisni yndyrë në të gjithë trupin tuaj dhe të përmirësoni funksionet e muskujve tek këmbët tuaja.
Ndiqni një regjim ushqimor të shëndetshëm
Humbja e peshës është një nga çelësat për këmbë më të hijshme dhe madje mund të ndihmojë në parandalimin ose lehtësimin e dhimbjeve të gjurit.
Kjo jo vetëm që përfshin praktikimin e ushtrimeve të ndryshme, por edhe ndjekjen e një regjimi ushqimor të shëndetshëm.
Vrapi
Vrapimi është një ndër aktivitetet më të mira për djegien e kalorive dhe për forcimin e muskujve të këmbëve.
Sipas një studimi mbi vrapimin dhe humbjen e peshës, vrapimet e shkurtra mund të jenë më efektive për djegien e yndyrës sesa ato të gjatat.
Para se të filloni, këshillohuni fillimisht me mjekun ose trajnuesin tuaj rreth ushtrimeve të duhura që nxehin muskujt e këmbëve, për të parandaluar lëndimet gjatë vrapimit.
Ngisni biçikletën
Biçikleta konsiderohet një ushtrim i mirë për zemrën, për uljen e peshës rreth barkut, por në veçanti për forcimin dhe tonifikimin e muskujve të këmbëve.
Ecja me biçikletë është gjithashtu një alternativë e mirë dhe me ndikim të ulët tek gjunjët. Kjo do t’ju ndihmojë veçanërisht nëse keni të bëni me ndonjë dhimbje gjuri ose dëmtim paraekzistues të këmbës.
Ushtrime specifike për këmbët
Ka disa ushtrime specifike që ofrcojnë muskujt e kofshës të njohur si kuadriceps.
Kur i forconi dhe tonifikoni këta muskuj, ato do të kenë një funksion edhe më të mirë në “lidhjen” e gjunjëve tuaj.
Një nga ushtrimet tipike kryhet duke përthyer njërën këmbë përpara në një kënd 90 gradë dhe duke e mbajtur pjesën e sipërme të trupit drejt, ndryshe njihet si “Lunges”.
Një tjetër ushtrim është edhe ai i njohur si “Squats”, të cilin mund ta praktikoni duke vënë një karrige pas jush.
Pozicionohuni me trupin drejtë, hapni këmbët sa gjerësia e shpatullave dhe uluni e ngrihuni disa herë.
Kërcimi me litar
Kërcimi me litar është një tjetër ushtrim që djeg shumë kalori dhe që mund të tonifikojë dhe forcojë këmbët tuaja, ku çelësi është teknika dhe jo shpejtësia.
Përpiquni të kërceni me gjunjët pak të përkulur në mënyrë që të mos lëndoni nyjet gjatë uljes. Gjithashtu, zgjidhni sipërfaqe të buta dhe jo mbi beton ose asfalt.
Ju mund ta bëni këtë ushtrim si pjesë e një programi stërvitor ose edhe si një nxemje para se të vazhdoni me ushtrimet e rradhës.
Ecja
Kur bëhet fjalë për uljen e peshës dhe tonifikimin e muskujve të pjesës së poshtme të trupit, një shëtitje e mirë mund ta bëjë këtë.
Ecja ka përfitime të shumta shëndetësore, dhe është gjithashtu një ushtrim me ndikim të ulët i përballueshëm nga shumica.
Dhe nëse mundeni, gjatë ecjeve mund të përfshini intervale të shkurtra me ecje të shpejtë, për të shtuar intensitetin.
Pavarësisht se cilat opsione zgjidhni, është e rëndësishme të mbani në mend se kjo kërkon kohë dhe këmbëngulje.
Forcimi i muskujve të këmbëve shkon përtej estetikës. Sa më shumë të forconi këmbët, aq më pak dhimbje gjuri mund të përjetoni me kalimin e kohës.
Mos harroni të mbroni gjunjët gjatë stërvitjes!
Vishni këpucë që janë të përshtatshme për aktivitetin që po bëni.
Kryeni ushtrime me ndikim të lartë vetëm në sipërfaqe të buta.
Përkulni gjunjët, por mos i lini të kalojnë gishtat e këmbëve.
Pushoni kur keni nevojë, veçanërisht nëse gjunjët fillojnë t’ju dhembin.
Merrni një ditë pushim midis ushtrimeve. /AgroWeb.org